Të shtëna me armë zjarri në Breg të Diellit – plagoset një inspektor i IPK-së
Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur pak më parë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku ka mbetur i plagosur një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një fjalosjeje mes inspektorit të IPK-së dhe një personi tjetër, lidhur me vendosjen e kamerave në një lokal afarist. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, situata ka eskaluar në mënyrë të shpejtë.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se në momentin kur inspektori ka tentuar të çojë dorën drejt çantes, ku dyshohet se ndodhej arma e tij zyrtare, është përballur me të shtëna me armë zjarri nga i dyshuari.
Si pasojë, inspektori ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin, ndërsa deri në këtë fazë nuk raportohet për arrestime. Rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen në vijim.
Lajmin për Kosova.info fillimisht e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet dhe është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.
Ndërkohë, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës ka konfirmuar se i plagosuri është zyrtar i IPK-së, duke sqaruar se incidenti nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare.
“IPK ju konfirmon se në incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në Rrugën ‘B’ në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare. Aktualisht Policia dhe Prokuroria kanë filluar një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka deklaruar Beka.
