Uk Lushi: Gjermania dhe Rainer Rudolph kundër ish-krerëve të UÇK-së

Veprimtari i çështjes kombëtare dhe ish-ushtari i Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Uk Lushi, ka reaguar ashpër përmes një deklarate publike duke akuzuar Gjermaninë dhe ambasadorin e saj në Kosovë, Rainer Rudolph, për qëndrime të njëanshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Lushit, Gjermania është ndër faktorët kryesorë që, sipas tij, ka tentuar të barazojë krimet e kryera në luftën e Kosovës duke i vendosur në të njëjtin nivel veprimet e shqiptarëve me ato të Serbisë.

Ai ka shkuar më tej duke deklaruar se interesat e Gjermanisë në Ballkan janë kryesisht ekonomike dhe demografike duke e cilësuar rajonin si një “teatër absurd politik” të fragmentuar, që nuk sjell zhvillim të qëndrueshëm.

Në reagimin e tij, Lushi ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së duke pretenduar se ekziston një dëshirë për t’i parë ata të dënuar me çdo kusht.

Ai gjithashtu ka kritikuar subjektet politike në vend, veçanërisht Partia Demokratike e Kosovës duke i paralajmëruar që të mos mbështeten verbërisht tek diplomatët e huaj, pasi – sipas tij – ata përfaqësojnë vetëm interesat e shteteve të tyre.

Në fund të reagimit, Lushi i është drejtuar drejtpërdrejt ambasadorit gjerman me tone të ashpra duke kërkuar shpjegime për standardet e ndryshme që, sipas tij, aplikohen ndaj kombeve në Evropë. /Kosova.info/

Go to TOP