Arti i të lexuarit të botës nga burimet e hapura të inteligjencës – nga vorbulla e zhurmës në sinjale të qarta

Shkruan: Besart VLLAHINJA

Në gjeopolitikë dhe në histori ka momente kur ngjarjet e mëdha nuk paralajmërohen nga fjalime, as nga deklarata zyrtare, por nga lëvizje të padukshme. Si një qetësi para stuhisë. Në këto momente, bota nuk hesht, përkundrazi, ajo flet më shumë se kurrë. Vetëm se nuk flet në mënyrën që ne jemi mësuar ta dëgjojmë.

Ajo flet përmes detajeve. Një kompani shpallë papritur thirrje për furnizim me pajisje specifike. Një institucion që rrit ndjeshëm buxhetin për një kategori të caktuar. Një ambasadë që papritur redukton stafin. Dislokimi i papritur i marinës detare nga një oqean në tjetrin. Një tender publik për pajisje që deri dje nuk përbënte prioritet. Importimi i produkteve specifike me një vend të caktuar të origjinës. Një kompani që ofron shërbime për të cilat nuk ka ekspertizë. Në pamje të parë, këto janë fragmente të zakonshme të realitetit. Por në një epokë të re të analizës së të dhënave, ato janë diçka tjetër: sinjale.

Ne jetojmë në një realitet që prodhon informacion në mënyrë të pandalshme. Çdo veprim, sado i vogël, gjeneron një gjurmë. Ekonomia, teknologjia, shoqëria, të gjitha janë kthyer në sisteme që mbajnë shënime për vetveten. Por ajo që e bën këtë epokë unike nuk është vetëm prodhimi i të dhënave. Është fakti që këto të dhëna janë të arritshme.

Në teoritë klasike, inteligjenca ishte një aktivitet i mbyllur dhe aftësi ekskluzive e organeve shtetërore. Sot, ajo është edhe proces publik, me të dhëna dhe informacione të shpërndara. Ajo është e disponueshme për këdo që ka durimin dhe aftësinë për të vëzhguar.

Në gjuhën profesionale ky koncept quhet OSINT (Open Source of Intellegence – në shqip Burimet e hapura të inteligjencës). Thelbi i OSINT-it nuk është gjetja dhe shpalosja e sekreteve, por interpretimi i asaj që është tashmë e dukshme, publike dhe ligjërisht e vënë në dispozicion.

Burimet e tilla mund ta kenë zanafillën në struktura ekonomike e biznesore.

Një shtet që investon në sisteme komunikimi emergjent nuk po përgatitet për rutinë. Një korporatë që kërkon ekspertë në inteligjencë artificiale nuk po mendon për të kaluarën, por për të ardhmen. Tenderët publikë, shpesh të neglizhuar si dokumente burokratike, janë në fakt një nga burimet më të pasura të OSINT-it. Ata zbulojnë jo vetëm se çfarë po blihet, por edhe pse po blihet. Në këtë kuptim, ekonomia nuk është vetëm treg, është edhe gjuhë.

Në këtë rrjet kompleks, individi nuk është më thjesht konsumator i informacionit. Ai është bërë pjesë e prodhimit të tij. Çdo fotografi e postuar, çdo koment, çdo reagim është një pjesë e një sistemi më të madh. Rrjetet sociale nuk janë vetëm hapësira komunikimi, ato janë një formë e re e inteligjencës kolektive.

Në realitet të tillë, një nga pyetjet më të rëndësishme të epokës sonë është kjo:

A po kuptojmë më shumë, apo thjesht po mendojmë se kuptojmë më shumë?

OSINT krijon përshtypje të fuqisë dhe pushtetit. Ai jep iluzionin se mund të parashikojmë, të analizojmë, të depërtojmë në realitet përtej sipërfaqes. Por kjo fuqi është e kushtëzuar, sepse një model mund të jetë rastësi, një sinjal mund të jetë zhurmë apo një narrativë publike mund të jetë ndërtim artificial dhe produkt i inteligjencës artificiale. Në mungesë të disiplinës analitike shkencore, OSINT mund të kthehet lehtësisht në një mekanizëm që prodhon kuptime të rreme. Dhe këtu qëndron sfida më e madhe, jo vetëm sigurimi i informacionit, por të dallosh çfarë ka vërtet kuptim. Në këtë frekuencë, vetëm metodat shkencore për analizë të të dhënave janë garant i qartësisë dhe saktësisë së rezultateve. 

Në të kaluarën, fuqia qëndronte te kontrolli i informacionit dhe të dhënave. Sot, fuqia qëndron te aftësia për ta menaxhuar një botë ku informacioni rrjedh pavarësisht dëshirës sonë.

Koorporatat, bizneset, institucionet apo organizatat mund të kontrollojnë fjalët. Por nuk mund të kontrollojnë plotësisht veprimet. Dhe veprimet gjithmonë lënë gjurmë.

Një botë e tillë është fundamentalisht transparente, jo sepse ka zgjedhur të jetë e tillë, por sepse nuk ka më mundësi të mos jetë. Kjo është transparenca e pavullnetshme, një gjendje ku realiteti zbulohet jo nga ajo që thuhet, por nga ajo që ndodh pa u thënë.

Ajo që e bën OSINT-in interesant nuk është vetëm fuqia e tij analitike. Është dimensioni i tij filozofik. Ai na detyron të rimendojmë mënyrën se si e kuptojmë botën.

Sepse në një realitet të tillë e zakonshmja nuk është më e zakonshme, e vogla nuk është më e parëndësishme dhe heshtja nuk është më mungesë informacioni.

Një porosi përmes platformave online për furnizim me picë në zyrë mund të jetë vetëm porosi ushqimi. Por mund të jetë edhe një sinjal. Një tender mund të jetë vetëm dokument. Por mund të jetë edhe një paralajmërim. Një postim mund të jetë vetëm opinion. Por mund të jetë edhe pjesë e një narrative më të madhe. Në këtë kuptim, OSINT nuk është thjesht një teknologji. Është një mënyrë për të parë.

Është aftësia për të lexuar botën si një tekst kompleks, ku çdo detaj ka potencialin të jetë i rëndësishëm, por si i veçantë, asnjë nuk është i mjaftueshëm. Është një ekuilibër mes kureshtjes dhe skepticizmit. Mes analizës dhe përmbajtjes. Mes asaj që duket dhe asaj që mund të nënkuptohet. Dhe ndoshta, në thelb, është një rikujtim i thjeshtë se në një botë që flet vazhdimisht, sfida më e madhe nuk është të dëgjosh, por të kuptosh.


Go to TOP