Genc Sadiku njofton për tërheqjen nga aktiviteti sportiv aktiv në prill
Pas shumë vitesh përkushtimi dhe punë të palodhur në fushën e sportit, Genc Sadiku ka bërë të ditur se gjatë muajit prill do të bëjë tërheqjen e tij nga aktivitetet sportive aktive.
“Sporti ka qenë pjesë thelbësore e jetës sime. Kam pasur nderin të bashkëpunoj me sportistë, trajnerë, klube dhe institucione duke përjetuar momente krenarie, sfidash dhe suksesi. Çdo garë, aktivitet dhe bashkëpunim ka qenë një përvojë e çmuar, të cilën do ta mbaj gjithmonë me respekt dhe mirënjohje,” ka thënë Sadiku.
Ky vendim është marrë pas reflektimi të kujdesshëm, me dëshirën për të mbyllur këtë kapitull me dinjitet dhe falënderim për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij sportiv.
Deri në tërheqjen zyrtare në prill, Sadiku do të vazhdojë të përkushtohet në detyrat dhe aktivitetet aktuale duke ruajtur respektin e tij për sportin dhe komunitetin sportiv.
Ai shpreh falënderime të veçanta për familjen, miqtë, sportistët, klubet dhe institucionet sportive që e kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës së tij. /Kosova.info/
