Rama: Mbi 60 shkolla të inspektuara, siguria prioritet i panegociueshëm në Prishtinë
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar për hapa konkretë në forcimin e sigurisë në shkollat e Prishtinës, pas prezantimit të raportit nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
Sipas tij, drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, ka prezantuar raportin e detajuar të përgatitur nga kjo drejtori, në të cilin janë identifikuar problematikat dhe sfidat me të cilat përballen institucionet arsimore në Kryeqytet.
Në kuadër të këtij procesi janë inspektuar mbi 60 objekte shkollore, ku është bërë vlerësimi i sigurisë fizike dhe i gjendjes së infrastrukturës. Nga këto inspektime janë evidentuar një sërë mangësish, për të cilat Komuna e Prishtinës do të ndërhyjë drejtpërdrejt, ndërsa paralelisht do të kërkojë llogaridhënie nga menaxhmentet e shkollave për çështjet që bien në përgjegjësinë e tyre.
Rama ka theksuar se për të garantuar standarde të qëndrueshme sigurie, inspektimet do të realizohen çdo gjashtë muaj. Për çdo çështje që lidhet me sigurinë dhe është në kompetencë të drejtuesve të shkollave, do të kërkohet përgjegjësi dhe veprim i menjëhershëm.
“Siguria fizike, mendore dhe emocionale e nxënësve dhe stafit mësimdhënës mbetet prioritet i panegociueshëm për Kryeqytetin”, është shprehur ai duke shtuar se institucionet komunale do të jenë në terren për të garantuar kushte më të sigurta në të gjitha shkollat e Prishtinës. /Kosova.info/
