Derbi i madh i Superligës të enjten në Ferizaj
Në mesjavë zhvillohet xhiroja e 20-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Dy ndeshje janë të mërkurën e dy të enjten.
Megjithatë, e gjithë vëmendja do të jetë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Të enjten nga ora 20:00 është derbi i madh i Superligës në mes të Kastriotit dhe Rahovecit.
Bëhet fjalë për dy skuadrat që i fituan trofetë e edicionit të kaluar. Rahoveci është kampion në fuqi, kurse Kastrioti fitues në fuqi i Kupës.
Edhe këtë edicion dy skuadrat i kërkojnë trofetë. Madje aktualisht janë në dy pozitat e para me nga 34 pikë.
Me të drejtë në Ferizaj pritet ndeshje e fortë dhe numër i madh shikuesish.
Të enjten prej orës 20:00 është edhe ndeshja mes Vëllaznimit e Prishtinës, në të cilën po ashtu pritet rivalitet.
Llapi – Besa Famgas dhe Trepça – Vushtrria, janë ndeshjet e rëndësishme të së mërkurës. Edhe këto dy ndeshje luhen nga ora 20:00.
Besa Famgas i ka 28 pikë në vendin e tretë. Pason Vëllaznimi në vendin e katërt me 18 pikë. Llapi është i pesti me 15 pikë, Trepça e gjashta me 12, Prishtina e shtata me nëntë dhe Vushtrria e fundit, pa pikë.
Ndeshjet Llapi – Besa Famgas dhe Kastrioti – Rahoveci transmetohen në 21 Plus dhe në kanalin zyrtar të FHK-së në “Youtube”. /Kosova.info/
