Kosova zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes me Gjibraltarin
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Gjibraltarit, e cila luhet të martën nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se përzgjedhësi Sami Sermaxhaj gjatë seancës është fokusuar kryesisht në aspektin taktik dhe në mënyrën e lojës që skuadra synon ta shfaqë në fushë.
“Kombëtarja e Kosovës (vajzat) ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së nesërme kundër Gjibraltarit, që luhet në orën 17:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Në këtë stërvitje, përzgjedhësi Sami Sermaxhaj është fokusuar në aspektin taktik dhe në lojën që ekipi synon ta paraqesë në fushë. Dardanet janë plotësisht të gatshme dhe maksimalisht të motivuara për këtë duel, me synimin që me përkushtim dhe vendosmëri ta dëshmojnë në fushë se kanë cilësi më të larta se kundërshtaret”, ka shkruar FFK.
