SHSKUK sqaron bashkëpagesën 3 euro për personat shoqërues: Ulje nga 5 euro, përjashtohen pacientët me sëmundje malinje

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka sqaruar opinionin publik lidhur me bashkëpagesën prej 3 euro për çdo 24 orë qëndrim të personave shoqërues mbi moshën 15 vjeç në institucionet publike shëndetësore.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore. SHSKUK thekson se në udhëzimin paraprak tarifa për personin shoqërues ka qenë 5 euro për 24 orë, ndërsa me Udhëzimin Administrativ aktual, të miratuar në vitin 2024, kjo shumë është ulur në 3 euro.

Ky ndryshim është pjesë e rishikimit të përgjithshëm të politikës së bashkëpagesave, përmes së cilës – sipas SHSKUK-së – jo vetëm që është reduktuar tarifa për personat shoqërues, por sistemi publik shëndetësor në Kosovë vazhdon të ofrojë shumicën dërrmuese të shërbimeve pa pagesë për qytetarët.

Po ashtu, bëhet e ditur se si rezultat i udhëzimit të ri administrativ, shumë shërbime shëndetësore ofrohen me kosto mbi dhjetëfish më të ulët krahasuar me udhëzimin paraprak.

Institucioni sqaron se kjo bashkëpagesë nuk aplikohet për pacientët, por lidhet me shfrytëzimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga persona që nuk janë pacientë.

Përjashtim nga kjo bashkëpagesë bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të hospitalizuar edhe në klinika të tjera brenda QKUK-së.

Sa i përket pacientëve me sëmundje kronike, menaxhmenti i QKUK-së njofton se është duke zhvilluar diskutime të brendshme dhe ndërinstitucionale për trajtimin e bashkëpagesave për këtë kategori, me synim adresimin e nevojave të tyre specifike.

Në fund, SHSKUK thekson se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional, ndërsa kujdesi shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit profesional. Çdo pretendim për mangësi në ofrimin e shërbimeve, sipas njoftimit, duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe jo të përgjithësohet. /Kosova.info/


Go to TOP