Ndeshje interesante në Podujevë, Llapi me fitore të madhe
Llapi e Prishtina kanë luajtur ndeshje të fortë në derbin e xhiros së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të dielën mbrëma në palestrën “Hakif Zejnullahu” në Podujevë, Llapi fitoi me rezultat 32:28.
Në fillim të ndeshjes llapjanët krijuan epërsi 7:2, por Prishtina u kthye dhe pas pjesës së parë ishte në epërsi 13:12.
Edhe 15 minutat e parë të pjesës së dytë ishin të barabartë e më pas Llapi nisi shkëputje të lehtë. Krijoi epërsi deri në pesë gola për mbyllje të qetë të takimit.
Santos De Souza Kaique ishte më efikasi te Llapi me tetë gola. Shtatë i shënoi Cristiam Da Rosa Machado.
Te Prishtina dhjetë gola i realizoi Enis Kuleta e shtatë Egzon Ademi.
Llapi me fitore është përforcuar në vendin e pestë me 15 pikë. Tani e ka vetëm një më pak se Vëllaznimi i vendit të katërt. Ndërkohë Prishtina mbetet e parafundit me nëntë pikë.
Po të dielën Besa Famgas fitoi në udhëtim ndaj Vushtrrisë me rezultat 53:17. Ajan Muqolli i shënoi 12 gola për Besën, kurse nga 11 i shtuan Jon Vokshi e Mohanad Desouky. Oltion Shabani i realizoi pesë gola për vushtrriasit, kurse nga tri i kishin Arjanit Hyseni, Valdrin Rashica e Leonard Krasniqi.
Besa është e treta me 26 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Vushtrria është e fundit, pa pikë. /Kosova.info/
