Rama diskuton me ambasadorin suedez dhe studiuesin Yang de Marinis për parandalimin e diabetit në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një mbrëmje diskutimi me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Wosterlund, dhe studiuesin e njohur të diabetit, Yang de Marinis, ku në fokus ishte roli i transformimit urban në luftën kundër diabetit.

Sipas Ramës, Prishtina po kontribuon në parandalimin e diabetit përmes planifikimit urban që promovon aktivitetin fizik, hapësirat publike funksionale dhe një stil jete më të shëndetshëm për qytetarët.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet më të fundit në fushën e hulumtimeve shkencore dhe për produkte inovative që mundësojnë parashikimin e diabetit deri në 20 vite më herët duke hapur rrugë për ndërhyrje të hershme dhe politika më efektive parandaluese.

Rama theksoi se këto diskutime forcojnë vizionin për një Kryeqytet më të shëndetshëm, të orientuar drejt parandalimit dhe mirëqenies afatgjatë të qytetarëve.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimit të praktikave më të avancuara shkencore në politikat lokale të shëndetit publik. /Kosova.info/


Go to TOP