KRM “Pastrimi” Sh.A.: Veprimi i punëtorit në Fushë Kosovë ishte individual, kompania distancohet
Kompania KRM “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot, ku një punëtor ka zbrazur kamionin me mbeturina para objektit të Komunës së Fushë Kosovës. Sipas njoftimit të kompanisë, ky veprim ishte individual dhe nuk pasqyron qëndrimin, politikat apo praktikën e ndërmarrjes.
Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë për të larguar mbeturinat dhe për të pastruar plotësisht zonën duke siguruar që të mos cenohet rendi publik dhe shëndeti i qytetarëve.
Kompania mohon pretendimet e punëtorit lidhur me “kushtet e punës jo të mira” dhe thekson se operon në përputhje me standardet ligjore dhe kontraktuale duke siguruar kushte pune, pajisje dhe mbështetje për të gjithë punonjësit.
KRM “Pastrimi” distancohet nga çdo veprim që dëmton imazhin institucional dhe shërbimin publik, ndërsa rasti do të trajtohet sipas procedurave disiplinore dhe ligjore. Kompania riafirmon përkushtimin e saj ndaj ofrimit të shërbimeve cilësore dhe bashkëpunimit korrekt me institucionet dhe qytetarët. /Kosova.info/
