IKD mirëpret veprimin e KPK-së për certifikimin e rezultatit zgjedhor, kërkon zgjedhjen e shpejtë të Kryesuesit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mirëpritur vendimin e Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) për futjen në rend të ditës të shpalljes dhe certifikimit të rezultatit përfundimtar të procesit zgjedhor për zgjedhjen e një anëtari të KPK-së, proces ky i zhvilluar më 1 nëntor 2025.
Sipas IKD-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme, KPK me të drejtë ka përcaktuar në rend të ditës procesin e certifikimit të rezultatit nga zgjedhja e anëtares së re të KPK-së. Ky veprim, sipas IKD-së, përbën një hap të domosdoshëm drejt jetësimit të reformës brenda KPK-së dhe respektimit të vullnetit të prokurorëve të prokurorive themelore në nivel vendi.
IKD u ka bërë thirrje anëtarëve të KPK-së që në takimin e sotëm të respektojnë ligjin dhe interesin më të mirë të sistemit prokurorial. Po ashtu, organizata kërkon që të miratohet Rregullorja për Zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm, brenda kornizës ligjore, për zgjedhjen e tyre sa më shpejt.
Me qëllim të forcimit të ligjshmërisë dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin prokurorial, IKD thekson se të gjitha veprimet duhet të ndërmerren në mënyrë të ligjshme dhe efikase duke garantuar funksionalitet të plotë dhe transparent të KPK-së. /Kosova.info/
