Finale e madhe në Kupën Individuale të Kosovës 2026: Saraçi – Uruçi për trofeun
Kupa Individuale e Kosovës në shah për vitin 2026 ka hyrë në fazën përmbyllëse, me finalen e shumëpritur ndërmjet Nderim Saraçit dhe Endrit Uruçit. Garat po zhvillohen në Sallën e Shahut të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku gjatë fundjavës janë në program finalja dhe përballja për vendin e tretë.
Në gjysmëfinale, kampioni aktual dhe fituesi i Kupës së vitit të kaluar, Nderim Saraçi, konfirmoi formën e tij të lartë duke mposhtur Muhamet Asllanin me rezultat 1:0. Në duelin tjetër gjysmëfinal, Endrit Uruçi zhvilloi një lojë ofensive që në nisje dhe arriti fitore të merituar ndaj Alban Krasniqit, po ashtu me rezultat 1:0 duke siguruar kështu biletën për në finale.
Rezultatet e gjysmëfinaleve (e premte, 13 shkurt, ora 16:00):
Muhamet Asllani – Nderim Saraçi 0:1
Endrit Uruçi – Alban Krasniqi 1:0
Finalja dhe ndeshja për vendin e tretë do të luhen të shtunën, më 14 shkurt duke filluar nga ora 11:00.
Finalja:
Endrit Uruçi – Nderim Saraçi
Për vendin e tretë:
Muhamet Asllani – Alban Krasniqi
Drejtësinë në këto përballje po e ndan gjyqtari ndërkombëtar Burhan Misini. Përballja finale pritet të sjellë një duel të fortë mes dy shahistëve më në formë të momentit, me trofeun që do të vendoset në një ndeshje që premton emocione dhe cilësi të lartë loje. /Kosova.info/
