Rama: Vizioni ynë duhet të mendojë për shtatë gjeneratat e ardhshme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë e përgjegjësisë morale dhe historike në vendimmarrje duke bërë thirrje për një qasje afatgjatë që shkon përtej agjendave ditore politike.
Rama ka deklaruar se, në një kohë kur shkencëtarët, politikanët dhe sipërmarrësit në mbarë botën po mendojnë dhe po veprojnë për shtatë gjeneratat e ardhshme, ekziston një detyrim i veçantë që vendimet e sotme të merren me kujdes të jashtëzakonshëm. Sipas tij, kjo përgjegjësi nuk lidhet vetëm me ambientin që do t’u lihet brezave të ardhshëm, por edhe me historinë që po ndërtohet sot dhe që nesër do të gjykohet si trashëgimi.
Ai bëri të ditur se ka pasur kënaqësinë të jetë pjesë e diskutimeve me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë, ku është folur edhe për Prishtinën, jo vetëm si kryeqytet i Kosovës, por si pjesë integrale e historisë kolektive evropiane.
Në fjalën e tij, Rama theksoi nevojën urgjente që politika të mos kufizohet në tema dhe interesa afatshkurtra, por të ndërtojë një vizion që shtrihet përtej së tashmes. “Vetëm kështu politika merr kuptim të vërtetë dhe përgjegjësia shndërrohet në histori”, përfundoi kryetari i Prishtinës. /Kosova.info/
