Komuna e Prishtinës publikon udhëzime pas lëkundjeve sizmike
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët pas tërmetit me magnitudë 4.8, i cili ka goditur sonte rreth orës 22:05 juglindjen e Kosovës, konkretisht zonën Prizren–Shtërpcë. Lëkundjet janë ndier edhe në Prishtinë dhe në disa pjesë të tjera të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar të Komunës së Prishtinës, deri tani nuk ka raportime për persona të lënduar apo për dëme serioze materiale. Institucionet përkatëse janë duke e monitoruar situatën në vazhdimësi.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, veçanërisht në rast të lëkundjeve të tjera. Qytetarëve u rekomandohet të qëndrojnë larg dritareve dhe objekteve që mund të bien, të strehohen nën tavolina të forta ose pranë mureve mbajtëse, dhe pas përfundimit të lëkundjeve të dalin me kujdes në hapësira të hapura.
Po ashtu, Komuna këshillon të mos përdoren ashensorët, të shmangen lëvizjet e panevojshme, të kontrollohen banesat dhe t’u ofrohet ndihmë personave që kanë nevojë. Qytetarët ftohen të informohen vetëm nga burime zyrtare.
Çdo informacion i ri do të publikohet përmes kanaleve zyrtare të Komunës së Prishtinës. Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat 0800 122 33 ose 0800 122 44. /Kosova.info/
