Tërmet në Kosovë
Një tërmet është ndjerë sonte në Kosovë rreth orës 22:00. Sipas Qendrës Evropiane për Monitorimin e Tërmeteve (European-Mediterranean Seismological Centre – EMSC), epiqendra ka qenë 19 kilometra larg Prizrenit, në zonën e Shtërpcës, me një magnitudë 4.9.
Tërmetet me magnitudë 4.0-4.9 konsiderohen të lehta deri mesatare, ndihen nga popullsia, por rrallë shkaktojnë dëme serioze.
Lëkundjet e tokës janë ndjerë edhe në vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tash për tash, nuk ka raportime për dëme materiale.
Sizmiologu kosovar, Shemsi Mustafa, shkroi në Facebook se shkalla e tërmetit ka pasur potencial për rrezik për qytetarët.
“Ky sizmicitet kishte potencialin t’i rrezikonte qytetarët dhe të shkaktonte ndonjë dëm material, për shkak të forcës së madhe”, sipas tij.
Kosova gjendet në një zonë me aktivitet sizmik të moderuar, si pjesë e brezit sizmik të Ballkanit.

