Rrahmani: Prindërit të mbajnë përgjegjësi për kërcënimet e nxënësve ndaj mësimdhënësve

Deputeti Eman Rrahmani ka reaguar lidhur me incidentin e fundit në një institucion arsimor, duke theksuar se përgjegjësia për sjelljen e fëmijëve nuk mund të kufizohet vetëm te nxënësit apo mësimdhënësit, por duhet të shtrihet edhe te prindërit.

Sipas Rrahmanit, babai dhe prindi në përgjithësi mbajnë përgjegjësi morale, materiale dhe ligjore për veprimet e fëmijëve të tyre. Ai ka vlerësuar se, përveç arrestimit të mësimdhënësit, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin masa ligjore edhe ndaj prindërve të nxënësve që kanë ushtruar kërcënime ndaj mësimdhënësit brenda ambienteve zyrtare të shkollës.

“Prindi është përgjegjës për sjelljen e fëmijës në shkollë, në rrugë, në lagje dhe kudo. Nëse nuk kërkohet llogari nga prindi, atëherë po mbrohet dhuna, po legjitimohet kërcënimi dhe po shkatërrohet çdo autoritet i arsimit,” ka deklaruar Rrahmani.

Ai ka bërë thirrje për veprim të qartë institucional, duke theksuar se vetëm përmes përgjegjësisë së plotë ligjore mund të mbrohet dinjiteti i mësimdhënësve dhe autoriteti i sistemit arsimor. /Kosova.info/


Go to TOP