Mjeku: Nazmi Mustafa, kryetari që i dha identitet modern Prishtinës-kryeqyteti i sotëm mban vulën e vizionit të tij

Nazmi Mustafa mbetet një nga figurat më emblematike në historinë e Prishtinës si kryeqytet i Kosovës. Gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare (1974–1978), ai e transformoi rrënjësisht qytetin përmes një vizioni urbanistik që edhe sot konsiderohet themelor për identitetin modern të kryeqytetit.

Nën udhëheqjen e Mustafës u ndërtuan objekte kapitale me rëndësi administrative, ekonomike dhe kulturore, si Pallati i Rinisë (ish-Boro Ramizi), i vetëfinancuar nga qytetarët pas referendumit, Hoteli Grand, Pallati i Rilindjes, objekti i Bankës Qendrore (ish-Shërbimi i Kontabilitetit Shoqëror), Mensa e Studentëve, Halla Sportive “1 Tetori” (ish-25 Maji), Instituti Albanologjik, Klinika e Gjinekologjisë, objekti i Radio Prishtinës, si dhe Stacioni Hekurudhor në Fushë Kosovë.

Këto ndërtime, sipas studiuesit dhe ish-zëdhënësit të Komunës së Prishtinës (2001–2006), Bajram Mjeku, janë objekte grandioze për shkak të rolit të tyre dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në mënyrën e jetesës së qytetarëve.

“Në historikun e Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, i ndjeri Nazmi Mustafa edhe sot vazhdon të mbetet kryetari më emblematik. Ai nuk e transformoi qytetin vetëm me ndonjë rrugë, por me lagje të tëra, siç është Lakërishtja. Gjatë asaj kohe u ndërtuan objekte që i dhanë Prishtinës identitet dhe prestigj”, ka deklaruar Mjeku për Epiqendrën.

Sipas tij, ajo që e veçon Mustafën nga pasardhësit e tij është integriteti personal dhe mungesa e korrupsionit. “Ai nuk e keqpërdori pozitën për pasurimin e vet apo të familjes, por punoi për nevojat dhe prestigjin e kryeqytetit. Prandaj, prishtinasit i kanë borxh shumë dhe e kujtojnë me pietet”, thekson Mjeku.

Në të njëjtën kohë, Mjeku shpreh kritika të ashpra ndaj kryetarëve të Prishtinës së pasluftës duke vlerësuar se ata, ndonëse janë lavdëruar me objektet e ndërtuara në kohën e Mustafës, nuk kanë lënë shenja pozitive të krahasueshme. “Gjurmët që kanë lënë janë lejimi i mafisë urbane dhe pasojat që qytetarët do t’i ndjejnë me gjenerata. Edhe pas gjysmë shekulli, Nazmi Mustafa shkëlqen si meteor në krahasim me ta”, shprehet ai.

Identiteti modern i Prishtinës, sipas vlerësimeve profesionale, nuk do të mund të imagjinohej pa këto objekte dhe pa vizionin urbanistik të Nazmi Mustafës. Prishtina pa të do të ishte një kryeqytet ndryshe – më i varfër në hapësirë, funksion dhe identitet. /Kosova.info/


Go to TOP