Osmani: Flamuri i Kosovës valëvitet në Olimpiadën Dimërore Milano-Cortina 2026
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me krenari pas paraqitjes së flamurit të Kosovës në ceremoninë madhështore të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
Ajo ka theksuar se flamuri i Republikës së Kosovës u valëvit me krenari duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për përfaqësimin ndërkombëtar të vendit në sportin olimpik.
Në këto lojëra, Kosova po përfaqësohet nga dy skitarët Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, të cilët, sipas Presidentes Osmani, po garojnë me dinjitet, guxim dhe ëndrra të mëdha duke bartur me vete shpresat dhe mbështetjen e gjithë vendit.
“Kosova është me ju, sot, nesër dhe gjithmonë! Ju priftë fati e u kthefshin faqebardhë!”, ka shkruar Osmani në mesazhin e saj.
Ajo ka falënderuar gjithashtu fotografët e njohur ndërkombëtarë David Ramos, Ezra Shaw, Cameron Spencer dhe Alexander Hassenstein nga Getty Images për pamjet e ceremonisë hapëse.
Paraqitja e Kosovës në Olimpiadën Dimërore Milano–Cortina 2026 vlerësohet si një tjetër hap i rëndësishëm në afirmimin e sportit kosovar në skenën botërore. /Kosova.info/
