ABDIGJIKU

(Në vend të një letre të hapur)

Shkruan: Myrteza OSDAUTAJ

Po ta shkruaj, zotni kryetar, këtë letër. Nuk e kam ndonjë zakon të shprehur për të shkruar letra por, kuvendi që e organizove javën që kaloi më bëri që të të drejtohem kështu.

Zgjedhjet e fundit, zotni Kryetar, ishin një debakël dhe një disfatë politike për të cilën do të duhej të uleshit e të diskutonit. Gjithsesi, ti si kryetar, kishe dëshirë që t’i ikje kësaj përgjegjësie që ishte, gati tërësisht, e jotja. Gjithsesi, për të mos hyrë në gjynah me ty, përgjegjësi keni të gjithë ju të kryesisë për katandisjen e dëshpërueshme të LDK-së: Ti, Hikmetja, Doarsa, Kujtimi, Armendi, Luta, Gazmendi, Antoni, Jehona, dhe të tjerët të cilëve edhe mund t’ua kem harruar emrat.

Ju, të gjithë, për gati pesë vjet nuk jeni marrë me gjë tjetër vetëm me Albinin. Mendonit se duke dalë kundër tij dhe duke e sharë në të gjitha emisionet televizive do të fitonit atë që e kishit humbur me kohë, në kohën kur, së bashku me Isa Mustafën, e minuat nga brenda integritetin dhe bazën politike dhe ideologjike të partisë. Ju se kishit kuptuar se, jo Albini, por ‘gjimnasitkat’ e turpshme politike të bëra nga ju dhe Isa Mustafa, koalicionet tuaja joparimore me PDK-në dhe dy partitë xhuxhe AAK-në dhe NISMA-n, korrupsioni dhe avokatia juaj ndaj të bëmave katastrofike politike dhe korruptive të PDK-së dhe të dy partive tjera, kishin bërë që ta humbni masën dhe besimin e elektoratit demokratik dhe rugovist.

Ju kurrë nuk u ndalët dhe nuk i kërkuat falje elektoratit tuaj për gabimet që kishit bërë dhe për dhimbjen dhe dëshpërimin që ua kishit shkaktuar me ‘zgjidhjet’ e mbrapshta politike dhe me koalicionet e turpshme që bënit vetëm për disa karrige dhe ‘ndonjë asht’ që ua gjuante PDK-ja….

Ju kurrë nuk u ndalët për ta analizuar këtë gjë por vendosët të mos bënit asgjë. Ju, gjysma prej jush, që jeni profiterë politikë pa asnjë kontribut për zhvillimin dhe ekzistencën e partisë, vazhduat aty ku e kishte lënë paraardhësi juaj, Isa Mustafa. Duke e dëmtuar dhe duke e rrënuar, çdo ditë e më shumë partinë, derisa e sollët në nivelin e sotëm, në nivelin e partisë së tretë dhe me një përqindje përçmuese prej 13%.

Mbaja ymyd që në kuvendin e djeshëm do ta diskutonit këtë gjë. Nuk e diskutuat dhe as nuk dhatë asnjë përgjegjësi për debaklin e pësuar. Nga ç’pashë, ti dhe disa të tjerë, më shumë ishit të interesuar ‘t’i shpëtonit bythët tuaja’ sesa të përgjigjeshit për humbjen politike që, për një vjet, u përsërit dy herë.

Nuk u Treguat as lider dhe as i përgjegjshëm. Thjeshtë dolët një humbës i mjerë i cili dëshiron të gjejë fajtorë ‘të jashtëm’ për humbjen e tij dhe për katandisjen e partisë.

Nuk dua të them më shumë. Mendoj se mjerimi i shprehur në kuvendin e partisë dhe paraqitja e juaj prej skuthi flet vet më shumë se unë.

Është koha të shkoni të gjithë, më besoni!


Go to TOP