Komuna e Prishtinës apelon për kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të temperaturave të ulëta
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ekipet komunale janë në terren dhe plotësisht të përgatitura për të vepruar sipas nevojës, me qëllim garantimin e sigurisë në rrugët e Kryeqytetit.
Sipas njoftimit, për shkak të temperaturave të ulëta që po mbizotërojnë, qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, ku ekziston rrezik i shtuar nga ngricat dhe rrëshqitjet e rrugëve.
Komuna rekomandon përdorimin e pajisjeve dimërore, ngasje me shpejtësi të reduktuar, si dhe respektimin e sinjalizimit rrugor dhe udhëzimeve të autoriteteve përgjegjëse.
Ekipet komunale do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet sipas nevojës, me qëllim që qarkullimi në rrugët e Kryeqytetit të zhvillohet sa më i sigurt.
Nga Komuna e Prishtinës falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar. /Kosova.info/
