Abdixhiku: LDK-ja më nuk mund të vazhdoj siç ka qenë, brenda 100 ditëve riorganizim i të gjitha strukturave

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që Lumir Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i partisë, pas konfirmimit të tij në Kuvendin e sotëm.

Pas përfundimit të seancës, Abdixhiku deklaroi se Kuvendi ka miratuar dy dokumente kyçe: njëra mbi gjendjen politike në vend dhe tjetra mbi organizimin e LDK-së. Ai theksoi se partia do të nisë një angazhim strukturor në të gjitha degët dhe nëndegët e Kosovës duke njoftuar një riorganizim brenda 100 ditëve.

“LDK-ja nuk mund të vazhdojë siç ka qenë. Ky organizim dhe riorganizim duhet të nisë sa më parë, në mënyrë që partia të jetë funksionale në çdo degë dhe nëndegë,” tha Abdixhiku. Ai bëri thirrje për bashkim të gjithë anëtarëve duke përfshirë ata të pakënaqur ose që kanë pasur funksione të larta, për të punuar drejt qëllimit të përbashkët të partisë.

Kreu i LDK-së shtoi se pas çdo vendimi të shumicës, duhet rreshtim prapa një ideje më madhore dhe përgjegjësi kolektive. “Procesi demokratik ka fillim dhe përfundim. Nga e hëna do të kemi një angazhim strukturor gjithandej Kosovës,” u shpreh Abdixhiku duke ftuar të gjithë anëtarët, përfshirë të dorëhequrit apo të dëshpëruarit, të rikthehen brenda shtëpisë së tyre politike.

Abdixhiku përfundoi me mesazhin se rruga përpara e LDK-së ka emër, rimëkëmbje, e cila do të arrihet përmes përpjekjes dhe përafrimit të të gjithë strukturave dhe anëtarësisë së partisë. /Kosova.info/

Go to TOP