Qirezi: LDK shembull i demokracisë, Lumir Abdixhiku meriton konfirmimin
Arben Qirezi, ish-aktivist rinor dhe bashkëpunëtor i Forumit të Rinisë së LDK-së dhe Qendrës së Kosovës për Studime Ndërkombëtare gjatë viteve 1991-1998, ka përshëndetur konfirmimin e Lumir Abdixhikut si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Qirezi ka kujtuar se shkollën e tij politike e ka bërë brenda LDK-së dhe se gjatë kësaj periudhe ka pasur privilegjin të punojë me mendjet më të ndritura kombëtare, përfshirë profesor Fehmi Aganin. Ai ka shprehur krenarinë dhe respektin për këtë pjesë të së kaluarës së tij politike.
Sipas Qirezit, edhe sot LDK përballet me sfida të mëdha, por ka treguar besnikëri ndaj procedurave demokratike dhe nuk është trembur nga sfidat e përpara. Ai ka uruar sukses personal Lumir Abdixhikut dhe gjithë partisë duke theksuar se një LDK e fortë kontribuon direkt në forcimin e Kosovës.
“LDK u tregua shembull i demokracisë,” ka përfunduar Qirezi duke vlerësuar procesin e brendshëm zgjedhor dhe stabilitetin e partisë. /Kosova.info/
