Mitrovica drejt një spitali të ri modern – Peci dhe Vitia dakordohen për nisjen e projektit madhor
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur sot në takim ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në sektorin e shëndetësisë dhe projektet që pritet të realizohen në këtë komunë.
Në fokus të takimit ishte projekti për ndërtimin e spitalit të ri të Mitrovicës, i cili parashihet të ketë hapësira moderne dhe të ofrojë të gjitha shërbimet shëndetësore për qytetarët. Peci bëri të ditur se implementimi i këtij projekti madhor do të fillojë menjëherë pas formimit të Qeverisë Kurti 3.
“Spitali i ri, me standarde bashkëkohore dhe shërbime të plota shëndetësore, do të realizohet, ndërsa punimet do të nisin sapo të krijohen kushtet institucionale,” theksoi Peci.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe shërbimeve për pacientët.
Peci garantoi se Komuna e Mitrovicës do t’i përmbushë të gjitha obligimet e saj, në mënyrë që projekti i spitalit të ri të realizohet sa më shpejt dhe të sjellë përmirësim të ndjeshëm në shërbimet shëndetësore për qytetarët e Mitrovicës dhe rajonit. /Kosova.info/
