Maqedonia e Veriut do të integrojë vendkalimet kufitare me Shqipërinë
Maqedonia e Veriut do të vazhdojë që vendkalimet kufitare t`i bëjë të integruara “ONE STOP, ashtu siç e bëri me Kosovën. Për këtë tashmë kanë rënë në ujdi që kjo të zbatohet edhe me Shqipërinë.
Pas vendosjes së sistemit të integruar kufitar me Kosovën, Maqedonia e Veriut do të hapë pika të përbashkëta kufitare edhe me Shqipërinë, të cilat do të fillojnë të funksionojnë nga muaj qershor. Kështu paralajmëroi sot në Shkup, ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, pas një takimi që realizoi me homologen e tij shqiptare, Albana Koçiu.
“Biseduam për çështje shumë të rëndësishme dhe erdhëm në konkluzione për të dyja vendet. I pari është, është që para sezonit të verës ta implementojmë sistemin “One Stop Shop” edhe me Republikën e Shqipërisë. Ekipet tona punojë intensivisht në të gjitha përgatitjet për dokumentet e nevojshme që ky sistem të hyjë në fuqi”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm i RMV.
Ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, tha se policia dhe kontrolli doganor do të funksionojnë bashkërisht në një pikë dhe do të jenë në shërbim 24 orë gjatë gjithë javës.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerë strategjik dhe janë në një miqësi të vazhdueshme së bashku, dy vende që ndajmë një hapësirë të përbashkët, të lidhura shumë më shumë ngjashmëri se sa në dallime, si dhe dy vende kandidatë për në BE. Prandaj, kjo hapësirë që ne ndajmë sot, do të jetë një hapësirë europiane, ku mallrat, kapitali dhe njerëzit do të lëvizin pa kufizime”, tha Albana Koçiu, ministre e Brendshme e Shqipërisë.
Sistemi i integruar kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë pritet të zbatohet në dy vendkalime kufitare, atë të Qafë Thanës, e rëndësishme për Korridorin 8 dhe vendkalimi Bllatë që lidh Dibrën me Peshkopinë, e rëndësishme për “Rrugën e Arbrit”.
