Cakolli: Rinumërimi zbulon mbi 80 mijë vota të manipuluara
Rinumërimi i mbi 50 për qind të vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nxjerrë në pah parregullsi serioze në numërimin e votave preferenciale për kandidatët për deputetë, duke zbuluar se rreth 80 mijë vota janë numëruar gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli, në zgjedhjet e fundit në Kosovë janë regjistruar rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, ndërsa secili votues ka pasur të drejtë të votojë deri në 10 kandidatë, çka e ka çuar numrin total të votave preferenciale në rreth 6.8 milion. Mesatarisht, çdo votues ka shënuar 7 kandidatë në fletëvotim.
Nga rinumërimi i deritanishëm, rezulton se 47,619 vota u janë hequr kandidatëve, pasi u ishin shtuar padrejtësisht gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota u janë shtuar, sepse më herët u ishin hequr në mënyrë të parregullt. Kjo do të thotë se në total, rreth 80 mijë vota preferenciale janë afektuar nga gabime dhe manipulime.
Sipas ndarjes sipas subjekteve politike, rreth 40 mijë vota u përkasin kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, 11 mijë LDK-së dhe rreth 4 mijë AAK-së. Ndërkaq, sipas komunave, mbi 80 për qind e këtyre parregullsive vijnë nga komuna e Prizrenit, e ndjekur nga Malisheva dhe Podujeva, kjo e fundit e rinumëruar deri tani vetëm 10 për qind.
Cakolli thekson se rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e procesit të numërimit në Qendrat Komunale, e ka bërë procesin më të ndjeshëm ndaj abuzimeve. Sipas tij, kur përpunimi i të dhënave bëhet nga një numër i vogël personash – që në disa raste rezultojnë të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve – rreziku për ndërhyrje dhe devijime të mëdha në rezultate rritet ndjeshëm.
Këto të dhëna kanë ngritur shqetësime serioze për integritetin e procesit zgjedhor, duke rihapur debatin për nevojën e reformimit të mënyrës së numërimit të votave dhe forcimit të mekanizmave të kontrollit, në mënyrë që të garantohet transparencë, saktësi dhe besueshmëri në zgjedhje. /Kosova.info/
