Bajrami: Kurti gënjen hapur, kabineti i tij është i zhytur në korrupsion

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar atë për mashtrim publik dhe mbrojtje të hapur të një kabineti të përfshirë në skandale të rënda korruptive.

“E kam thënë dhe po e përsëris prapë se përtej rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin. Dëgjojeni Albinin si thotë të pavërteta pa iu dridhur qerpiku”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka renditur një sërë skandalesh duke përmendur kontrata të negociuara në vlera qindra mijëra euro, ministra me aktakuza, rastin e rezervave shtetërore ku sipas saj është i implikuar edhe vetë Kurti, si dhe atë që e quan “mafia energjetike” dhe “mafia farmaceutike”.

Sipas Bajramit, deklarata e Kurtit se “askush në kabinetet e ministrave të mi nuk ka as imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion” është fyese për inteligjencën e qytetarëve. “Dmth. Albini ka arritur të depërtojë edhe në imagjinatën e ministrive dhe jo vetëm të atyre, por edhe të stafit që ministrat kanë në kabinet”, ironizoi ajo.

Në fund, Bajrami e akuzon Kurtin se me mbrojtjen e pakushtëzuar ndaj ministrave me aktakuza po tregon se ai vetë është urdhërdhënësi. “Që kabinetin e ke të korruptuar e dinë të gjithë – edhe ata në Davos. Po deklaratat e tua në mbrojtje dhe garancia absolute edhe për ministrat me aktakuza tregojnë se ti ke qenë urdhërdhënësi. Përndryshe, kjo mbrojtje nuk mund të shpjegohet ndryshe”, përfundon reagimi i saj. /Kosova.info/

Go to TOP