Kërcënim i rëndë me vrasje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, AGK kërkon masa urgjente nga Policia dhe Prokuroria
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas një kërcënimi serioz me vrasje të drejtuar ndaj gazetarit dhe themeluesit të portalit Vox Kosova, Lirim Mehmetaj.
Sipas AGK-së, kërcënimi është bërë përmes një komenti në rrjetin social Facebook, ku ndaj Mehmetajt është përdorur gjuhë e drejtpërdrejtë kërcënuese dhe e rrezikshme, që nënkupton vrasje. Ky veprim përbën kanosje të rëndë dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë e gazetarit dhe lirinë e medias.
AGK-ja e ka dënuar ashpër këtë akt duke theksuar se gjuha e tillë është e papranueshme dhe përbën vepër penale. Po ashtu, Asociacioni i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të veprojnë pa vonesë për identifikimin dhe lokalizimin e personit përgjegjës dhe ta mbajnë atë përgjegjës sipas ligjit.
Duke pasur parasysh seriozitetin e kërcënimit, AGK-ja ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ofrojë masa mbrojtëse për Lirim Mehmetajn dhe për redaksinë që ai udhëheq, me qëllim garantimin e sigurisë fizike dhe vazhdimin e punës gazetareske pa frikë dhe presion.
AGK-ja ka ritheksuar se kërcënimet ndaj gazetarëve janë kërcënime ndaj interesit publik dhe demokracisë, dhe se institucionet e drejtësisë duhet të reagojnë me vendosmëri për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen. /Kosova.info/
