Manchester United triumfon në derbin e qytetit

Manchester United ka shënuar një fitore të madhe ndaj rivalëve të qytetit, Manchester City duke triumfuar 2:0 në kuadër të javës së 22-të në Premier League.

Skuadra e drejtuar nga trajneri i përkohshëm Michael Carrick zhvilloi një paraqitje shumë të mirë dhe me meritë arkëtoi tri pikë të rëndësishme para tifozëve të vet në “Old Trafford”.

Ndeshja nisi me ritëm më të lartë nga vendasit, të cilët krijuan rastin e parë serioz që në minutat e hershme. Harry Maguire ishte shumë pranë golit, por goditja e tij me kokë nga afër qëlloi traversën.

United vazhdoi të ushtronte presion dhe gjeti rrugën e rrjetës dy herë përmes Amad Diallos dhe Bruno Fernandes, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje. Pavarësisht dominimit të “Djajve të Kuq”, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Në pjesën e dytë, City tentoi të rrezikojë përmes kundërsulmeve, por pa sukses konkret. United mbeti skuadër më kërkuese dhe pati disa raste të pastra shënimi. Në minutën e 55-të, Casemiro u ndal nga portieri Gianluigi Donnarumma, i cili reagoi sërish mirë edhe ndaj goditjes së Bruno Fernandes pak minuta më vonë.

Megjithatë, në minutën e 65-të, Fernandes asistoi për Brian Mbeumo, i cili shënoi golin e epërsisë për United, duke ndezur atmosferën në “Old Trafford”. Pas golit, vendasit vazhduan të kontrollonin lojën, ndërsa City nuk arriti të gjente zgjidhje në fazën ofensive.

Epërsia u dyfishua në minutën e 76-të, kur Patrick Dorgu realizoi një gol të bukur pas asistimit të Mateus Cunhas, duke përfituar nga një reagim i dobët i mbrojtjes së mysafirëve.

Në minutat shtesë, Manchester United shënoi edhe një gol përmes Mason Mount, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

Me këtë fitore, Manchester United ngjitet përkohësisht në vendin e katërt të renditjes me 35 pikë, po aq sa Liverpooli, i cili ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndërkohë, për Manchester Cityn e Pep Guardiolës kjo humbje përbën një goditje të rëndë në garën për titull, duke i hapur rrugë Arsenalit për të rritur avantazhin në krye të tabelës.


Go to TOP