Loshi kërkon tavan të pagave: Nëse ka pagë minimale, duhet të ketë edhe pagë maksimale
Gazetarja e ekonomisë, Drita Loshi, ka reaguar pas caktimit të pagës minimale për këtë vit duke kërkuar që Qeveria të përcaktojë edhe një tavan maksimal për pagat që paguhen nga buxheti i shtetit.
Në reagimin e saj, Loshi thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë se sa është paga maksimale që mund të përfitohet nga paratë publike, veçanërisht në një kohë kur shumica e punëtorëve mezi ia dalin me pagën minimale.
“Meqë pagën minimale e caktuat për këtë vit, hajt caktojeni edhe maksimalen. Thjesht, le ta dimë. Sa është paga maksimale që mund të paguhet nga buxheti i shtetit?”, shkruan ajo.
Ajo ngre shqetësimin për raste të raportuara ku zyrtarë publikë paguhen me mijëra euro në muaj duke përmendur kategori si këshilltarë “specialë”, anëtarë bordesh, pozita në ambasada dhe institucione shtetërore.
Si shembull konkret, Loshi përmend rastin e raportuar publikisht të Gani Jakupit, i cili sipas saj paguhet rreth 7,500 euro në muaj nga buxheti i shtetit.
“Po flasim për para publike. Para të qytetarëve. Nëse ka pagë minimale, duhet të ketë edhe tavan maksimal”, thekson ajo duke shtuar se vendosja e një pagese maksimale do të sillte më shumë transparencë dhe drejtësi sociale. /Kosova.info/
