Çun Lajçi i drejtohet Kurtit: Nuk mjafton të jesh i pastër, duhet të jesh i fortë
Aktori i njohur Çun Lajçi i është drejtuar Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me një reagim të gjatë dhe kritik, ku kërkon vendosmëri më të madhe në qeverisje dhe luftë të hapur ndaj korrupsionit brenda institucioneve.
Në mesazhin e tij, Lajçi thekson se kundërshtitë ndaj Kurtit kanë qenë dhe do të vazhdojnë, por sipas tij, koha tashmë kërkon veprim të fortë e jo vetëm pastërti morale. Ai përdor metafora të forta për të përshkruar situatën politike dhe institucionale duke e krahasuar liderin me një pishë të lartë që sulmohet nga “myshqet” përreth.
“Nuk mjafton veç mos me qenë hajn. Duhet me i njohë hajnat. Duhet me pre egjrën”, shkruan Lajçi duke shtuar se shumë zyrtarë dhe ministra, sipas tij, kanë punuar për interesa personale dhe jo për shtetin.
Aktori shpreh shqetësim të thellë për gjendjen në sektorë kyç duke vlerësuar se shëndetësia është në kolaps, kultura e degraduar dhe arsimi i rrënuar, ndërsa thekson se vetëm Ushtria e Kosovës ka mbetur funksionale dhe dinjitoze.
Në reagimin e tij, Lajçi i bën thirrje Kurtit që të “kapë frerët”, të vendosë disiplinë dhe të fokusohet te qytetarët që, sipas tij, po përballen me mungesë ilaçesh, vështirësi ekonomike dhe humbje shprese.
“Na duhesh i fortë. Jo me fjalë, se me fjalë u ngimë”, shkruan ai duke nënvizuar se liria politike nuk mjafton pa bukë, ujë dhe kushte minimale jetese. /Kosova.info/
