Njohja dhe zotërimi i Egos
Shkruan: Besart VLLAHINJA
Në qarqet tona, qofshim nga natyra më spiritual, religjioz apo më të ndikuar nga filozofia, shpesh flitet për egon. Definimi dhe përcaktimi i egos është kompleks dhe shumë i vështirë.
Është e rëndësishme të qartësojmë, në raste të tilla, nëse po flasim për potencialin tonë për të qenë vetjak? Apo për konceptin e Egos sipas psikanalizës? Ose për mënyrën se si njeriu mendon për konceptin “unë”.
Fjalorët gjuhësor e përkufizojnë egon si “vetja”. Zakonisht fjalën Ego e dëgjojmë të asociuar me një koncept negativ. Dhe, ashtu është në të shumtën e rasteve.
Në jetë ndjekim praktika të ndryshme për përmirësimin tonë, përfshirë edhe përmirësimin e botës e cila na rrethon duke krijuar kështu një realitet dhe një ndjenjë të bukurisë dhe të përkryerjes.
Për “nënshtrimin e saj”, egoja paraprakisht duhet të kuptohet që të zotërohet e kontrollohet.
Egoja shpesh mbështillet edhe me tipare të shpirtit, që e bën të vështirë përkufizimin e saj. Por, një publicist [Mcevoy] e ka përkufizuar me gjuhën e kuptueshme dallimin ndërmjet shpirtit dhe egos:
“Egoja kërkon t’i shërbejë vetes,
Shpirti kërkon t’u shërbejë të tjerëve…
Ego kërkon njohjen e jashtme,
Shpirti kërkon autenticitetin e brendshëm…
Egoja e sheh jetën si një konkurrencë,
Shpirti e sheh jetën si një dhuratë…
Ego kërkon të ruajë veten,
Shpirti kërkon të ruajë të tjerët.
Egoja duket nga jashtë,
Shpirti shikon nga brenda.
Ego ndjen mungesë,
Shpirti ndjen bollëk.
Egoja është e vdekshme,
Shpirti është i përjetshëm.
Egoja tërhiqet nga epshi,
Shpirti tërhiqet nga dashuria.
Ego kërkon mençuri,
Shpirti është mençuri.
Egoja kërkon të mbushet,
Shpirti është tërësia e përjetshme.
Ego gëzon triumfin me çmim,
Shpirti shijon udhëtimin.
Egoja është shkaku i dhimbjes,
Shpirti është shkaku i shërimit.”
Në karakterin tonë, Ego nuk është dhënë krejt pa arsye:
Arsyeja e e parë: Egoja është një pengesë që ne e betonojmë për të mbrojtur qenien tonë nga dukuri dhe fenomene të cilat i perceptojmë si të dëmshme për ne ose bindjet tona, nga ato me konotacion shoqëror, vijuar me politik, kulturor dhe për të përfunduar tek ato fetare.
E dyta, Ego ngritë vetëbesimin ose inkurajon forcën e brendshme, e cila mund të na shërbej për realizimin e një plani. Asnjëra nga këto nuk është domosdoshmërisht e keqe, por sigurisht që mund të na shpjerë në një epilog të dhimbshëm apo shpesh-herë edhe katastrofal. Gabimi i vetëm është injorimi i Egos dhe për pasojë e njëjta të marrë kontrollin mbi neve, mbi ndjenjat tona dhe mbi reagimin tonë.
Si qenie njerëzore, ne duhet të mësohemi t’i kontrollojmë emocionet tona dhe të kontrollojmë instiktet tona.
Natyra njerëzore është e brishtë. Si e tillë, lejon Egon të marrë përsipër ndonjëherë vendim-marrjen tonë. Por problemi qëndron kur ne ia dorëzojmë të gjithë kontrollin Egos. Atëherë gjërat dalin jashtë kontrollit dhe pasojat janë fatale ose teatrale. Dhe gjithmonë garancë për dështim.
Nëse ne i dorëzojmë Egos fuqinë tonë dhe e lëmë atë të pambikëqyrur, atëherë instikti i gjallëses dhe arroganca, do të sjellin vetëm “luhatje”, e cila rrezikon integritetin e të gjithë strukturës. Me raste, Ego mund të jetë e dobishme, por kurrë nuk duhet të lihet pa mbikëqyrje, pavarësisht sa fisnike janë qëllimet. Duke mbikëqyrur Egon, ne jemi të vetëdijshëm për forcën shkatërruese prej “bishës” e cila qëndron e heshtur.
Prandaj, si qenie njerëzore me arsye, motoja e jonë është:
“Ne jemi mësuesi dhe Egoja është nxënësi ynë.”
