Supremja rrëzon ankesën e PDK’së për anulimin e votave me postë pas 29 dhjetorit

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me administrimin dhe numërimin e fletëvotimeve të dërguara me postë nga votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Supremja ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e kishte hedhur ankesën e PDK-së si të pasafatshme.

PDK kishte kërkuar që të anuloheshin dhe të përjashtoheshin nga numërimi të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas datës 29 dhjetor 2025, ora 16:00, përfshirë ato të pranuara më 2 dhe 5 janar 2026, duke argumentuar se pranimi i tyre ishte në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, srhkaun Insajderi.

Megjithatë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se afati ligjor për paraqitjen e ankesës është 48 orë nga momenti i shkeljes së pretenduar. Sipas vendimit, vetë PDK e ka lidhur shkeljen me pranimin e fletëvotimeve më 2 dhe 5 janar 2026, ndërsa ankesa është dorëzuar në PZAP më 8 janar 2026, çka e bën atë të paraqitur jashtë afatit ligjor.

Supremja ka sqaruar se për shkak të pasafatshmërisë së ankesës, as PZAP e as Gjykata nuk kanë pasur kompetencë të shqyrtojnë në merita pretendimet e PDK-së lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjatjen e afateve të pranimit të votave me postë.

Në vendim theksohet se pasojat politike, përfshirë pretendimet për humbje mandatesh parlamentare, nuk mund të shërbejnë si bazë për anashkalimin e afateve ligjore të parashikuara për procesin zgjedhor.

Go to TOP