Cakolli: LDK rrezikon të mbetet parti e 12–15% nëse nuk qartëson drejtimin politik në epokën “Kurti”

Analisti politik Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se rënia e përsëritur e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rreth 13 për qind përbën një sinjal të qartë se problemi i kësaj partie nuk është më thjesht teknik apo organizativ, por thellësisht politik dhe identitar.

Sipas Cakollit, ndryshe nga dy humbjet paraprake, kjo rënie nuk u shoqërua me çarje apo ndarje dramatike brenda partisë, çka tregon se LDK-ja po përballet me një mungesë bindjeje të ofertës së saj politike në një sistem të fortë të polarizuar, të dominuar nga kryeministri Albin Kurti në njërën anë dhe një opozitë të ngurtë në anën tjetër.

Ai thekson se zhvillimet e fundit në LDK, përtej reagimeve emocionale, dëshmojnë një përplasje thelbësore për qasjen ndaj së ardhmes. Qasja e kryetarit Lumir Abdixhiku, sipas Cakollit, përfaqëson vazhdimësi institucionale, respektim të procedurave dhe një ton teknik e të kontrolluar. Megjithëse e sigurt dhe stabile, kjo qasje ende nuk ofron përgjigje të qartë se si LDK-ja mund të rikthehet si forcë fituese apo së paku konkurruese për vendin e parë.

Në anën tjetër, qasja që po artikulohet përmes Hykmete Bajramit, sipas tij, synon një shkëputje më të qartë nga status quo-ja: pranimin e humbjes si problem legjitimiteti, urgjencë për zgjedhje të brendshme, ripozicionim më të mprehtë përballë Kurtit dhe ndërtimin e një identiteti më luftarak opozitar. Kjo rrugë, ndonëse sjell më shumë tensione dhe përplasje, historikisht ka qenë shpesh e vetmja që krijon mundësi reale për ringritje politike.

Cakolli rikujton se përvojat ndërkombëtare tregojnë se partitë që pas rënieve të mëdha fokusohen fillimisht në ruajtjen e rendit të brendshëm, zakonisht stabilizohen, por në nivele mesatare. Ndërsa ato që e vendosin në qendër debatit drejtimin e ri politik dhe lidershipin, edhe pse kalojnë përplasje të forta, shpesh arrijnë të rikrijojnë identitet dhe energji politike.

Sipas tij, problemi thelbësor i LDK-së mbetet mungesa e një përgjigjeje të qartë se çfarë është ajo në epokën “Kurti”: gardiane institucionale e qetë, forcë qendrore korrigjuese, parti shtetformuese konservatore apo pol i fortë opozitar. Edhe pse në diskurs është pozicionuar si opozitë, veprimet praktike të LDK-së kanë krijuar shpesh paqartësi për rolin real që synon të luajë, paqartësi që u reflektua qartë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në këtë kontekst, Cakolli thekson se gara e brendshme partiake nuk duhet parë vetëm si çështje deklarative, por si krijim i kushteve reale për konkurrencë të barabartë dhe rikthim të besimit të anëtarësisë në procesin vendimmarrës. Lënia e dorëheqjes në dorë të Kuvendit, të dominuar nga i njëjti lidership dhe ende nën tronditjen e rezultatit zgjedhor, sipas tij, vështirë se përbën marrje të vërtetë përgjegjësie.

Në përfundim, Cakolli paralajmëron se sfida e LDK-së sot nuk është vetëm menaxhimi i situatës dhe procedurave, por një rishikim i thellë politik dhe një qartësim i drejtimit strategjik. Në të kundërtën, ekziston rreziku që rënia aktuale të mos shërbejë si pikë kthese, por të shndërrohet në gjendje të përhershme, ku 12–15 për qind nuk janë më fundi, por kufiri optimal i partisë. /Kosova.info/

Go to TOP