Shehu: VV në Junik mbështeti AAK-në pa konsultim, Llolluni zgjidhet Kryesues i Kuvendit Komunal
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas mbledhjes së Kuvendit Komunal të Junikut, ku pikë e rendit të ditës ishte zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Sipas Shehut, grupi i asamblistëve të LDK-së kishte propozuar për këtë pozitë Shpejtim Gacaferin, ndërsa grupi i asamblistëve të AAK-së kishte propozuar Leonard Llollunin. Ai theksoi se propozimi i AAK-së u mbështet menjëherë nga kryetari i Qendrës së VV-së në Junik, Jetmir Tofaj, pa asnjë konsultim paraprak me strukturat partiake apo me elektoratin që ai përfaqëson.
Shehu e cilësoi këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe politikisht të pajustifikueshëm duke theksuar se një qëndrim i tillë e shndërron Tofajn në mbështetës të drejtpërdrejtë të agjendës së AAK-së në Junik dhe përbën devijim të hapur nga vullneti dhe besimi i votuesve të tij.
Në procesin e votimit, Shpejtim Gacaferi mori 7 vota, ndërsa Leonard Llolluni, me mbështetjen e 2 nga 3 votat e grupit të VV-së, mori 8 vota dhe u zgjodh Kryesues i Kuvendit Komunal të Junikut.
Megjithatë, Shehu theksoi se duke respektuar institucionin dhe procesin demokratik, ai dhe institucionet komunale e urojnë Leonard Llollunin për zgjedhjen në këtë detyrë dhe shprehin gatishmëri për bashkëpunim institucional.
“Bashkëpunimi ynë do të jetë gjithmonë në funksion të interesit publik dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Junikut, pa dallim,” përfundoi Shehu. /Kosova.info/
