Kusari-Lila: Takimet e CIG nuk janë sekrete, nuk negociohet dhe nuk merren vendime

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj raportimeve dhe aludimeve lidhur me pjesëmarrjen e saj në takimet e organizuara nga CIG (Center for Inclusive Governance) duke theksuar se këto takime janë transparente, publike dhe pa karakter negociues apo vendimmarrës.

Ajo sqaroi se takimet e CIG zhvillohen që nga viti 2010, me seli në SHBA dhe mbështetje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, ndërsa në to kanë marrë pjesë vazhdimisht përfaqësues të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Sipas saj, në këto tryeza kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.

Kusari-Lila theksoi se takimet nuk janë të fshehta dhe se në to nuk negociohet e as nuk merren vendime. Ajo nënvizoi se për transparencë të plotë, listat e pjesëmarrësve dhe përfundimet nga secili takim janë publike dhe publikohen në faqen zyrtare të CIG, ndërsa institucionet relevante njoftohen paraprakisht për agjendat dhe kohën e organizimit të tyre.

“Unë dhe kolegia ime Fitore Pacolli kemi përfaqësuar dhe mbrojtur qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pretendimet se në këto takime janë marrë vendime në fshehtësi apo janë arritur marrëveshje jashtë syve të publikut janë të pavërteta dhe përbëjnë dezinformim,” ka deklaruar ajo.

Deputetja e VV-së ka vlerësuar se veçimi i përfaqësuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga pjesëmarrësit e tjerë synon ndërtimin e një narracioni të rremë që, sipas saj, po tentohet t’i servohet publikut prej vitesh.

Në fund, Kusari-Lila ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e fundit dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit duke i përgëzuar për vigjilencën përballë fushatave dezinformuese, si dhe u ka uruar një fillimvit të mbarë. /Kosova.info/


Go to TOP