Kurti paralajmëron për natë kritike në rrugët e Kosovës: Të shmangen lëvizjet e panevojshme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë natës së sotme duke e cilësuar situatën si kritike sa i përket qarkullimit rrugor në të gjithë vendin.
Sipas Kurtit, kontrasti i madh i temperaturave dhe parashikimet që ato të zbresin deri në -9 gradë Celsius paraqesin rrezik të lartë, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut pritet të ngrijnë gjatë natës.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet, por ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i domosdoshëm.
Kryeministri ka rikujtuar zbatimin e ligjit për sezonin dimëror duke kërkuar që të gjitha automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që sonte të mos lëvizin nëse nuk e kanë të domosdoshme. E nëse megjithatë duhet të qarkullojnë, atëherë patjetër të bëjnë vozitje të kujdesshme duke iu përshtatur kushteve atmosferike,” ka deklaruar Kurti.
Në fund, ai ka theksuar se institucionet po bëjnë maksimumin për t’u dalë në ndihmë qytetarëve duke apeluar që edhe ata të kontribuojnë në rritjen e sigurisë përmes shmangies së lëvizjeve të panevojshme. /Kosova.info/
