Problemet me ujin në Mitrovicë, nga ora 15:00 nis shpërndarja me autobot
Si pasojë e turbullirave në kanalin e Ibër-Lepencit të shkaktuara nga vërshimet, shumë banorë në Mitrovicë të Jugut kanë mbetur pa ujë të pijshëm.
Prandaj, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se nga ora 15:00 do të nis shpërndarja e ujit me autobot.
“Nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë do të realizohet shpërndarja e ujit përmes autobotit, i cili do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika”. Ju lutemi të furnizoheni në kohë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”, për banorët e këtij qyteti.
Më herët kjo kompani njoftoi se bazuar në informacionet zyrtare të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, nga e cila KRU “Mitrovica” siguron ujin e papërpunuar, rrëshqitjet e dheut përgjatë kanalit kanë ngritur lart nivelin e turbullirës dhe kanë pamundësuar furnizimin me ujë të përshtatshëm për trajtim.
“Si ndërmarrje që varet drejtpërdrejt nga ky burim furnizimi, operimi i impianteve për trajtimin e ujit kushtëzohet nga gjendja teknike e kanalit të Ibër-Lepencit dhe parametrat e ujit të papërpunuar, sipas njoftimit të tyre zyrtar. Ekipet janë duke punuar dhe në momentin që Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” e sanon gjendjen dhe uji i papërpunuar plotëson kushtet teknike për trajtim, KRU “Mitrovica” Sh.A. do të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë trajtimin dhe shpërndarjen e ujit për konsumatorët”, thanë ata. /Kosova.info/
