Lushaku: Shoqata e Taksive të Kryeqytetit në ndihmë të qytetarëve gjatë vërshimeve
Drejtori i Mobilitetit në Kryeqytet, Donat Lushaku, ka njoftuar se Shoqata e Taksive të Kryeqytetit ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u dalë në ndihmë drejtorive përgjegjëse dhe qytetarëve që janë prekur nga vërshimet.
Sipas Lushakut, ndihma do të realizohet përmes angazhimit vullnetar të automjeteve të kompanive të taksive, të cilat do të ofrojnë transport për qytetarët në nevojë, në koordinim me institucionet e Kryeqytetit.
Ky vendim human, siç bëhet e ditur, është përcjellë përmes një mesazhi nga Kryetari i Shoqatës së Taksive të Kryeqytetit, z. Faruk Kunushevci, i cili ka theksuar gatishmërinë për bashkëpunim në këto rrethana të vështira.
“Ju faleminderit për këtë gjest të jashtëzakonshëm dhe thellësisht human”, ka thënë Lushaku duke vlerësuar kontributin e taksistëve si shembull solidariteti dhe përgjegjësie qytetare gjatë situatave emergjente. /Kosova.info/
