Mos u çuditni pse humbi LDK-ja?
Shkruan: Ismail GASHI
Mos u çuditni kurrë pse humbi LDK. Analistët kanë varguar një numër të madh shkaqesh, por unë veçova njërën që LDK nuk ka mësuar kurrë as nga historia e saj jo shumë e largët. Dhe këtë ma forcoi edhe më shumë një fabul e moçme shqiptare e treguar shpesh deri në ditët tona.
– Një fshatari ujqit i kishin shfarosur gjithë kopenë e deleve. Fqinjët duke e pa se ai po mërzitej jashtëzakonisht shumë, mundoheshin me i dhanë gajret duke ja rikujtuar se ‘shyqyr që dami nuk është ba në robt e shpisë, ku është malli bahet dami’ e ngushëllonin ata. Ofshamat dhe mërzia e tij nuk pushonin dhe dikur vonë pasi shkuan të gjithë fqinjët, njëri nga shokët më të afërt që kishte i thotë, ‘gajret he burrë, ujqit gjithmonë na ka ra ndër dhenë dhe nuk ka shpi që s’është dëmtue nga ujqit, po kështu si ti s’jemi ligështu kërkush’ i thotë ai.
‘O nuk e kam bre te dhentë që më kanë shku’ i përgjigjet dikur, ‘mërzinë e madhe e kam diku tjetër. Na prej dhenve kemi jetu e me emën të Zotit i bëj prap, po u mërzita kur shkova te stanet dhe e pashë qenin tem që ish ba bashkë me ujqit e po i hanin dhentë e mia’, ofshani prap i zoti i shpisë.
Versioni i fabulës së njëjtë në Milleniumin e III-të
Një natë para zgjedhjeve (më 27 dhjetor) një aktivist i LDK e thërret shokun e tij po ashtu një aktivist fanatik i LDK-së, i cili ditën e zgjedhjeve ishte i angazhuar si komisionar në një qendër votimi në njërën nga komunat e mëdha të Kosovës.
‘Hej shoki, më duhen për nesër (28 dhjetor) urgjentisht me m’i siguru dy kerre (vetura), e kam të domosdoshme, O sot o kurrë’ i thotë ai.
Si shok i sinqertë që ishte, i thotë po, hajde merri, por me m’i kthy si të mbarosh punë brenda ditës. ‘Hiq pa merak’ i thotë veç ma bëj këtë të mirë, nuk ta harroj kurrë.
I merr tipi makinat dhe nuk i ktheu hiq siç ishin dakorduar. Tek të hënën më 29 dhjetor pas shumë e shumë telefonatash, më në fund makinat kthehen, por për çudi, jo nga shoku tij por nga dy aktivistë të VV, me të cilët edhe pse i njihte kurrë një muhabet me ta as kafe s’kishte pirë.
I befasuar tmerrësisht nga pabesia e shokut, i shikoi makinat të cilat dukeshin në rregull, por kur ndezi njërën nga makinat, pa se ishin ba me mija km brenda një dite. Tek atëherë i ra në mend, se për çka paskan shërbyer veturat e tij.
I futi në xhep çelësat e makinave dhe u kthye i tronditur në shtëpi nga pabesia e shokut, i ashtuquajtur aktivist i LDK-së.
