Pse Albini nuk i dënoi atentatet ndaj Rugovës, por e dënonte Rugovën?!

Shkruan: Idriz MORINA

Albin Kurti deri para 4 vitesh nuk donte të dëgjonte për Rugovën, vazhdonte ta injoronte dhe përbuzte personalitetin e tij. Edhe kur erdhi në pushtet mezi i thoshte disa fjalë, që të mos shprehnin urrejtje, por shumë larg vlerësimit për Rugovën nga intelektualë të fushave të ndryshme, nga politikanë shqiptarë dhe të huaj, përfshirë personalitete të shquara në botë.

Por, Albini i vërtetë, ai i para luftës, gjatë luftës dhe pas çlirimit të tij, ku u kthye nga burgu mundohej ta sfidonte popullaritetin e Rugovës duke e konsideruar një politikan të pavlerë, autokrat, dhe kryesisht duke e kualifikuar nga lufta dhe më pas si kolaboracionist, që kinse ka bërë marrëveshje në dëm të Kosovës.

Pra, Albin Kurti e ka për obligim t’i shpjegojë votuesve të vet, të cilëve iu flet tashmë ndryshe për Rugovën, jo se e ka ndryshuar vlerësimin për të (mbase edhe e ka ndërruar pjesërisht), por me qëllim të mashtrimit të votuesve tradicionalë të LDK-së, atyre që e votuan kur Vjosa Osmani e udhëhoqi listën e VV-së, dhe atyre që mbetën ose një pjesë që iu bashkuan ndërkohë.

Albin Kurti, në vitin 1999, para bombardimeve refuzonte t’i dënonte vrasjet politike që po bëheshin ndaj bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai ishte kategorik para gazetarit, të mos i dënonte vrasjet politike, që po i bënte krahu që po udhëhiqte me një pjesë të UÇK-së, ministrit të Luftës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit, të shefit të QIK-ut Enver Malokut, të personalitetit të letrave shqipe, studiuesit të shquar dhe mikut të Ibrahim Rugovës, prof.Dr.Sabri Hamitit, të arrestimit të deputetëve të Republikës së Kosovës nga Thaçi dhe të tjerët.

Por, Kurti kur ndodhnin vrasjet, atentatet, ishte në pajtim me luftën speciale kundër procesit të pavarësimit, por ishte i qetë për të shprehur personalitetin e tij para të tjerëve, nuk e hiqte nga tavolina e punës në zyrën e Unionit të Studentëve, portretin e Çe Guevarës, të futur në një kornizë.

Po ashtu edhe modelin e flokëve e mbante, sipas modelit të portretit të Çe Guevarës në atë foto. Ky nuk e mbante vetëm kapelën me yllin komunist pesëcepësh, por atë sigurisht e mbante në zemër!

Kur ndodhi atentati ndaj Rugovës, ai po shkonte nga rezidenca në Velani drejt Presidencës, ku do ta takonte pas pak minutash Havier Solanën, Sekretarin e NATO-s. Pas atentatit, ai tha se fatkeqësisht ende kishte njerëz që duan ta destabilizojnë Kosovën, dhe se ai kishte shpëtuar fal Zotit, pas shumë përpjekjesh të ngjashme: “Kjo që ndodhi sot, dhe për fat të keq dhe fal Zotit, shpëtova edhe njëherë, e dini kam pasur mjaft kso…Tash një vit gjuajtën në shtëpinë time, nuk po i përmendi ato të tjerat”, ka thënë Rugova më 2005.

Por, Albin Kurti nuk e dënoi as atentatin ndaj Rugovës, në mos do të jetë ndjerë i dëshpëruar që dështoi, meqë kur Rugova vdiq, vazhdonte ligjërimin tërë urrejtje patologjike, duke e quajtur kolaboracionist të Serbisë.

Sot, kërkon vota nga rugovistët, duke u shprehur se kinse më shumë ka rugovista në Guxo e VV se në LDK! Ky thjesht është mashtrim, njëri nga mashtrimet me rekordet më të gjata të tij!

Ps,. Rugova shihet në konferencë për media, pak minuta pas atentatit ndaj tij


Go to TOP