Egjipti me dhjetë lojtarë mposht Afrikën e Jugut dhe kalon tutje

Një gol nga penalltia i Mohamed Salah ka qenë i mjaftueshëm që Egjipti, edhe pse me një lojtar më pak, ta mposhtë Afrikën e Jugut me rezultat 1-0 dhe të sigurojë kualifikimin nga Grupi B i Kupës së Afrikës (AFCON), në ndeshjen e zhvilluar në Agadir.

Të dyja përfaqësueset kanë hyrë në ndeshje me synimin e qartë për fitore, pasi tri pikët do t’i çonin drejt fazës nokaut. Për këtë arsye, minutat e para kanë qenë të kujdesshme dhe me pak rrezik para portave.

Rasti i parë i ndeshjes ka ardhur pas njëzet e dy minutash, kur Egjipti ka fituar një goditje dënimi në skaj të zonës. Omar Marmoush ka gjuajtur, por topi ka kaluar shumë pranë shtyllës së majtë. Gjuajtja e parë në portë është regjistruar nga Afrika e Jugut, por tentativa e Lyle Foster ka qenë e dobët dhe është ndalur lehtë nga portieri Mohamed El Shenawy.

Në fund të pjesës së parë, Egjipti ka kaluar në epërsi pas një faulli të rëndë të Khuliso Mudau në zonë. Kapiteni Mohamed Salah e ka marrë përgjegjësinë nga pika e bardhë dhe ka realizuar me saktësi, duke e dërguar topin në qendër të portës.

Megjithatë, para pushimit ka pasur edhe dramë, pasi Mohamed Hany është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Egjiptin me dhjetë lojtarë.

Në pjesën e dytë, loja ka qenë e varfër me raste. Afrika e Jugut ka pasur më shumë posedim të topit, por është kufizuar kryesisht në gjuajtje nga distanca, që nuk e kanë rrezikuar seriozisht portën egjiptiane.

Rasti më i mirë për barazim ka ardhur dhjetë minuta para fundit, kur Foster e ka gjetur Aubrey Modiba në zonë, por gjuajtja e tij është ndalur nga El Shenawy. Pavarësisht përpjekjeve deri në fund, Afrika e Jugut nuk ka arritur të shënojë.

Kështu Egjipti ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër, ndërsa për ta mbyllur grupin si fitues do t’i nevojitet së paku një pikë në ndeshjen e ardhshme. Ndërsa, Afrika e Jugut, mbetet në garë dhe do ta kërkojë kualifikimin në përballjen ndaj Zimbabvesë.


Go to TOP