Prokuroria Speciale mirëpret dënimin e Trajkoviqit për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Sllagjan Trajkoviqin me 10 vjet burg për një prej akuzave për krime lufte në komunën e Vushtrrisë. Për tre pika të tjera të aktakuzës, trupi gjykues vendosi se nuk ishte vërtetuar përfshirja e tij.
Trajkoviq ishte pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe akuzohej për përfshirje në vrasje, bastisje, rrahje, torturë, trajtim çnjerëzor, mbajtjen në kushte skllavërie dhe dëbimin e mijëra civilëve shqiptarë në vitet 1998-1999 në fshatrat e Vushtrrisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për krime lufte, S.T.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
