PS: Aksion i madh kundër korrupsionit në Prishtinë, arrestohen 7 persona, kapen në flagrancë me para dhe armë

Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot është zhvilluar një operacion i gjerë policor në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për dyshime serioze për përfshirje në veprimtari kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale: korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim, si dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë aksionit janë arrestuar shtatë persona me inicialet: F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L. Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave, pas një periudhe disamujore monitorimi dhe hetimi, ku janë përdorur edhe masa të veçanta hetimore.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Me vendim të Prokurorisë Speciale, të gjithë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme, si dhe pajisje elektronike.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa institucionet e drejtësisë kanë paralajmëruar veprime të tjera në funksion të zbardhjes së plotë të rastit. /Kosova.info/


Go to TOP