Hamza hap fushatën e PDK-së në Prizren: Rritje pagash 50%, lehtësira tatimore dhe kapitull i ri stabiliteti për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka hapur fushatën zgjedhore në Prizren, ku ka prezantuar programin e tij qeverisës, i cili përfshin zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, mbrojtjen dhe politikën e jashtme.

Hamza tha se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri stabiliteti dhe zhvillimi duke vlerësuar se qeverisja e kaluar ka dhënë shumë premtime, por me rezultate të pakta konkrete për qytetarët.

Në fjalën e tij, ai prezantoi masat kryesore ekonomike duke premtuar rritje të pagave deri në 50 për qind për të gjithë punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit, përfshirë mësimdhënësit, mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe administratën publike.

“Ne besojmë në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm që nuk e lë pas asnjë qytetar. Prandaj, do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Pagat për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50 për qind mbi pagën aktuale”, tha Hamza.

Ai paralajmëroi edhe reformë të thellë fiskale duke premtuar se të ardhurat deri në 400 euro nuk do të tatohen fare, ndërsa të ardhurat nga 400 deri në 800 euro do të tatohen vetëm 8 për qind, ndërsa pagat mbi 800 euro do të kenë tatim maksimal 10 për qind.

Hamza tha se do të shfuqizohet ligji aktual i tatimit në pronë, do të hiqet TVSH-ja për produktet esenciale dhe energjinë, ndërsa bizneset nuk do të paguajnë më TVSH në kufi, por vetëm pas shitjes brenda territorit të Kosovës. Ai shtoi se bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro nuk do të tatimohen fare, ndërsa ato deri në 30 mijë euro do të tatimohen vetëm mbi bazën e fitimit real.

Në programin e tij, Hamza premtoi lehtësira të shumta për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, mbrojtje për lehonat dhe familjet, si dhe rritje të subvencioneve për fëmijët.

“Ne do të krijojmë fondin e papunësisë, do të themelojmë gjykatën e punës dhe do t’i mbrojmë lehonat, familjet dhe punëdhënësit duke i përkrahur edhe financiarisht”, tha ai.

Hamza paralajmëroi legalizimin e ndërtimeve pa leje me tarifa simbolike, me qëllim të zhbllokimit të kapitalit të ngrirë prej miliarda eurosh dhe vënien e tij në funksion të zhvillimit ekonomik.

Në fushën e arsimit dhe mirëqenies sociale, ai premtoi reforma që nga arsimi parashkollor, ndërtimin e çerdheve, krijimin e një fondi prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, ndërtimin e qendrave të kujdesit për të moshuarit dhe sigurimin e ilaçeve falas për personat me sëmundje kronike.

“Garantoj drejtësi të pavarur nga politika dhe një shtet që kujdeset për qytetarët e tij”, theksoi Hamza.

Në aspektin e sigurisë dhe politikës së jashtme, Hamza deklaroi se do të krijojë Gardën Kombëtare të Kosovës si forcë operative sipas standardeve të NATO-s duke theksuar se anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.

“Do ta thellojmë partneritetin me NATO-n, do të punojmë për Partneritetin për Paqe, do ta rifillojmë dialogun strategjik me SHBA-në dhe do ta synojmë marrëveshjen strategjike me aleatin tonë kryesor. Po ashtu, do të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e statusit të kandidatit në BE”, tha Hamza.

Në fund, kandidati për kryeministër u bëri thirrje qytetarëve që ta votojnë PDK-në duke theksuar se vetëm përmes unitetit dhe një programi të qartë zhvillimi Kosova mund të ecë përpara. /Kosova.info/

Go to TOP