Spiropali në Greqi, rihapet dialogu për kufirin detar

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Greqi me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.

Gjatë takimit Spiropali theksoi se “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.

Më pas Spiropali zhvilloi një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në konferencën për shtyp, Spiropali tha se Greqia duhet të heqë ligjin e luftës, duke theksuar se dy vendet janë pjesë e NATO-s.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.

Go to TOP