Punimet drejt përfundimit: Dy terrenet e tenisit në Gërmi po ndërtohen sipas standardeve ndërkombëtare

Punimet për ndërtimin e infrastrukturës në dy terrenet e tenisit në Gërmi po zhvillohen me ritëm të shpejtë duke shënuar një hap të rëndësishëm për avancimin e sportit të tenisit në Kosovë.

Sipas Bardh Krasniqit nga NPL Sport Marketing SH.A., terrenet do të ndërtohen sipas standardeve dhe kritereve ndërkombëtare, me qëllim që të jenë të gatshme për organizimin e turneve dhe garave ndërkombëtare. Projektit i janë përfshirë edhe elemente moderne, si mbulimi i terreneve, sistemi i ngrohjes, si dhe ndriçimi i ri, që do të mundësojë shfrytëzimin e tyre gjatë gjithë vitit.

Krasniqi ka bërë të ditur se pajisjet e nevojshme tashmë kanë mbërritur, ndërsa aktualisht po zhvillohen punimet ndërtimore dhe shtresimi i terreneve. Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijojë instalimi i pajisjeve përfundimtare.

“Jam tejet i lumtur që talentëve dhe talenteve tona po u krijohen kushte për zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve edhe gjatë periudhave të ftohta dhe dimrit,” ka theksuar Krasniqi.

Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së kushteve për sportistët e rinj dhe profesionistë, si dhe në promovimin e Gërmisë si një qendër e rëndësishme sportive dhe rekreative. /Kosova.info/


Go to TOP