Pritoret në rrugën “Nazim Gafurri” mbesin ekzistuese: Komuna paralajmëron restaurim dhe ulëse të reja

Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, ka sqaruar kërkesat e shumta të qytetarëve lidhur me vendosjen e pritoreve të reja të autobusëve në rrugën “Nazim Gafurri”, në drejtim të Gërmisë.

Lushaku ka bërë të ditur se pritoret ekzistuese janë nën mbrojtje shtetërore dhe përbëjnë pjesë të trashëgimisë kulturore, bazuar në një vendim ministror. Si rrjedhojë, vendosja e modeleve të reja nuk është e mundur.

“Për hir të transparencës dhe llogaridhënies publike, ju njoftoj se këto pritore janë në mbrojtje shtetërore. Edhe pse personalisht mendoj se nuk përfaqësojnë vlera aq të larta për një status të tillë, vendimet duhet respektuar dhe nuk mund të veprohet ndryshe”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Komuna ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa për përmirësimin e gjendjes aktuale. Sipas Lushakut, do të projektohet ngjyrosja dhe restaurimi eventual i pritoreve ekzistuese, si dhe vendosja e ulëseve të reja, gjithmonë pas marrjes së pëlqimit nga organet kompetente.

Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e kushteve për qytetarët duke respektuar njëkohësisht kornizën ligjore dhe vendimet në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. /Kosova.info/

Go to TOP