Komunikacioni në kryeqytet, policia apelon për kujdes
Komunikacioni në kryeqytet dhe në vend vazhdon të mbetet një sfidë. Nga vozitësit kërkohet më shumë kujdes dhe respektim i rregullave, ndërsa Komuna e Prishtinës sheh zgjidhje në ndërtimin e unazës së jashtme të kryeqytetit.
Policia ka dalë në terren për të siguruar që komunikacioni të jetë në rregull. “Kulturë dhe kujdes duhet të tregojmë edhe në komunikacion”, thonë zyrtarët policorë, ndërkohë që për ata që vazhdojnë të shkelin rregullat nuk do të mungojnë gjobat.
“Nëse vozitësit tregojnë një kulturë më të avancuar, mendoj se gjithçka do të shkonte më lehtë dhe më mirë. Për ata që nuk i respektojnë rregullat dhe krijojnë tollovi, do të shqiptohen gjoba. Do të mundohemi edhe me vërejtje dhe qortime, por në disa raste gjobat janë të domosdoshme, sepse ka individë që me qëllim nuk i respektojnë rregullat”, tha Vedat Zuka, shef i operativës së trafikut në kryeqytet.
Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, sqaron mënyrat se si mund të arrihet rregull në rrugët e kryeqytetit.
“Të ketë komunikacion të rregullt, me semaforë funksionalë, vija horizontale dhe vertikale të qarta. Përderisa evidentojmë një vozitës që ka hyrë gabimisht në rrugë, duhet të evidentojmë edhe personin përgjegjës për shenjat e gabueshme dhe të rregullojmë rrugën që është e papërshtatshme”, tha Hamiti për RTK.
Nga Komuna e Prishtinës vazhdojnë ta shohin si zgjidhje realizimin e unazës së jashtme, që do të ketë ndikim të madh në rregullimin e komunikacionit në kryeqytet.
“Me përmbylljen e tripit të transportit urban të kryeqytetit, përfshirjen e të gjitha stacioneve, përfshirjen e lagjeve dhe fshatrave ku më herët nuk ka pasur transport, si dhe lirimin e trotuarëve për hapësira më të mëdha lëvizjeje, lëvizjen më të lehtë me biçikleta dhe trotinetë, shohim një rezultat pozitiv për qytetin”, deklaroi Pëllumb Bajqinovci, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.
Sipas Komunës, përfshirja e këtyre elementeve brenda unazës së jashtme do të japë rezultatin final në përmirësimin e komunikacionit në kryeqytet.
