KUNDËRPËRGJIGJE NDAJ MANIPULIMEVE DHE GJUETISË SË SHTRIGAVE NË ADRESË TË PSHDK-së

Deklarata e z. Pal Lekaj është një përpjekje e radhës për të krijuar mjegull dhe për të manipuluar opinionin publik rreth qëndrimeve të PSHDK-së. Për të qenë të qartë: Pal Lekaj nuk ka qenë asnjëherë adresë vendimmarrjeje për PSHDK-në, dhe asnjë takim individual nuk mund të ndryshojë qëndrimet zyrtare të partisë.

Është e pabesueshme se si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vetëm një muaj më parë, poshtëroi PSHDK-në në Gjakovë, duke e lënë këtë subjekt jashtë qeverisjes lokale pas 20 viteve partneritet, megjithëse pushteti lokal i AAK-së është mbajtur pikërisht me votat dhe mbështetjen e PSHDK-së. Ndërsa të gjitha subjektet e tjera politike u përfshinë në koalicion, PSHDK u përjashtua në mënyrë të qëllimshme, duke i shkaktuar partisë një dëm historik dhe të panevojshëm.

Sot, të njëjtët aktorë dalin me deklarata personale, në një lloj “gjuetie shtrigash”, duke tentuar të krijojnë përçarje për interesa krejt individuale. Por këto përpjekje janë të kota. PSHDK është më e unifikuar se kurrë.
• Të gjitha degët në nivel vendi janë të rreshtuara pas vendimit të kryesisë.
• Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e PSHDK-së kanë votuar unanimosht për koalicionin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
• Asnjë individ i vetëm, pavarësisht pozicionit apo historisë së tij, nuk mund të flasë në emër të PSHDK-së, e aq më pak të dëmtojë unitetin dhe drejtimin e partisë.

PSHDK vazhdon rrugën e saj politike si një subjekt serioz, i konsoliduar dhe me mbështetje të gjerë strukturore, ndërsa manipulimet personale mbeten vetëm përpjekje të dështuara për protagonizëm momental./Kosova.info/

Go to TOP